SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se mediat CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejohen më të kenë akses në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Trump, ky vendim hyn menjëherë në fuqi. Presidenti amerikan i akuzon këto media për raportime të rreme në lidhje me administratën e tij.
Me anë të një postimi në platformën Truth Social, Trump deklaroi se mediat nuk duhet të kenë mundësi të publikojnë ose transmetojnë atë që ai i cilësoi si “falsifikime dhe gënjeshtra” gjatë mbulimit të presidentit, administratës së tij dhe Shteteve të Bashkuara.
Trump përmendi në mënyrë të veçantë CNN, MS NOW, e cila më parë njihej si MSNBC, si dhe Politico. Në postimin e tij, presidenti amerikan kritikoi gjithashtu pagesat prej rreth 8 milionë dollarësh që, sipas tij, Politico kishte marrë nga qeveria amerikane gjatë administratës së Joe Biden.
Trump e përshkroi këtë pagesë si “korrupsion”. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi mënyrën se si do të zbatohet vendimi. Ende nuk është bërë e qartë nëse ndalimi do të përfshijë të gjitha format e aksesit të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë apo vetëm kredencialet dhe aktivitetet e caktuara. Në fund të deklaratës së tij, Trump paralajmëroi se mund të ketë edhe media të tjera që do të përjashtohen nga Shtëpia e Bardhë.
“Jam krenar të njoftoj se, me efekt të menjëhershëm, po i ndaloj CNN, MS NOW (e cila kohët e fundit ndryshoi emrin nga MSNBC, për shkak të mungesës së shikueshmërisë dhe besueshmërisë!) dhe Politico (përfituese e një abonimi të paligjshëm dhe qesharak prej 8 milionë dollarësh, një rekord absolut, drejtpërdrejt nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, nën mashtruesin Joe Biden, për t’i mbajtur “gjallë”. Mua më duket si korrupsion!), nga Shtëpia e Bardhë, si rezultat i “raportimit” të tyre të vazhdueshëm të LAJMEVE TË RREME! Mediat nuk duhet të jenë në gjendje të shkruajnë ose të raportojnë vazhdimisht FALSIFIKIME dhe GËNJESHTRA kur mbulojnë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, administratën Trump ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të ketë edhe më shumë media të lajmeve të rreme që do të ndalohen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” tha Trump në postimin e tij.




