Një lajm i trishtë vjen pasditen e kësaj të diele, pasi mësohet se ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeçare Artisti i Madh Sherif Merdani.
Merdani njihet si një nga këngëtarët më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare, teksa ka punuar edhe si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë.
Ai ka qenë edhe i dënuar në kohën e diktaturës, pasi bëri 16 vite burg pas Festivalit të 11-të, së bashku me disa kolegë të tij. Sherif Merdani ka marrë pjesë në disa Festivale në RTSH:
Në Dhjetor 1970, Sherif Merdani merr pjesë në Festivali i 9-të në RTSH me këngët “Mes jush” dhe “Të pres në tetor”.
Në Dhjetor 1971, Sherif Merdani merr pjesë në Festivali i 10-të në RTSH me këngët “Kënga e nënës”, “Vite pa harrim” dhe dueti me Justina Aliaj “Në mbrëmjen e vallëzimit”.
Në Dhjetor 1972, Sherif Merdani merr pjesë në Festivali i 11-të në RTSH me këngët “Vajza E qelqtë”, “Rruga e Dibrës” dhe “Duart e tua”.
Në Dhjetor 1995, Sherif Merdani merr pjesë në Festivali i 34-të në RTSH me këngën “Simfonia E Nenes”.
Në Dhjetor 1997, Sherif Merdani merr pjesë në Festivali i 36-të në RTSH me këngën “Bisedoj Me Dashurine”.
Mesazhet ngushelluese
Kryeministri Rama ka postuar foton e artistit në rrjetet sociale, teksa i jep lamtumirën Sherif Merdanit.
“Lamtumirë Sherif Merdani”, shkruan Rama krah fotos së postuar të një prej këngëtarëve më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një mesazh ngushëllimi për familjen e artistit të madh Sherif Merdani, i cili u nda ditën e sotme nga jeta në moshën 81 vjeçare.
Basha thotë se zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës.
“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës.
I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe”, shkruan Basha.
Mesazh ngushëllimi i Presidentit Meta për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur, Sherif Merdani:
Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje.
I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin.
Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme!
I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit!
“…Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,
‘Let it be’, kam për të kënduar”.