Një tjetër incident fatal ka ndodhur pranë një qendre shpërndarjeje në jug të Gazës. Ushtria izraelite thotë se ka qëlluar pranë një kompleksi shpërndarjeje ndihmash pasi ka identifikuar “disa të dyshuar” dhe po shqyrton raportet për viktima.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se trupat izraelite vranë 24 persona që po prisnin ndihma pranë një vendi shpërndarjeje në Rafah.
Agjencia e mbrojtjes civile e drejtuar nga Hamasi thotë se forcat izraelite hapën zjarr me tanke dhe dronë ndaj mijëra palestinezëve që prisnin të merrnin akses në qendrën e ndihmës.
Zëdhënësi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal, më tha se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve në qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Rafah u goditën nga të shtënat me armë zjarri nga tanket, helikopterët dhe dronët kuadrokopterë.
Izraeli mohoi se ka qëlluar palestinezët në një incident të ngjashëm të dielën, për të cilin ministria e shëndetësisë e Gazës tha se vrau 31 persona dhe plagosi gati 200 të tjerë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që rastet tragjike të hetohen.
“Jam i tmerruar nga raportet për palestinezët e vrarë dhe të plagosur ndërsa kërkonin ndihmë në Gaza dje. Bëj thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për këto ngjarje dhe që autorët të mbahen përgjegjës”, deklaroi më herët, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
