Një aksident masiv rrugor ka ndodhur në Itali, ku rreth 80 automjete u përfshinë në një përplasje brenda tunelit Villafranca, në autostradën Messina-Palermo.
Sipas autoriteteve, përplasja përfshiu makina, furgonë dhe mjete të rënda, duke krijuar një situatë kaotike brenda tunelit. Trafiku në autostradë u bllokua plotësisht për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve emergjente dhe evakuimin e të lënduarve.
Zjarrfikësit kanë përdorur njësi të shumta për nxjerrjen e automjeteve të dëmtuara, asistimin e personave të lënduar dhe sigurimin e zonës, përfshirë kontrollet mbi rezervuarët e karburantit. Po ashtu, në vendin e ngjarjes ndodhen edhe forcat e policisë, të cilat menaxhojnë trafikun dhe kryejnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Autoritetet vijojnë punën për normalizimin e situatës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.













