Të gjithë sytë nga Haga/ Sot pritet vendimi që mund të ndryshojë fatin e ish-krerëve të UÇK-së

Hagë, 16 Korrik 2025 – Gjykata Speciale në Hagë do të shpallë sot vendimin mbi mocionet e paraqitura nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të akt-akuzës për krime të pretenduara lufte.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin afat deri më 12 qershor për të dorëzuar mocionet e tyre, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar qëndrimin e saj deri më 7 korrik. Vendimi i sotëm konsiderohet me rëndësi të veçantë, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në vijimin apo kufizimin e mëtejshëm të gjykimit që ka nisur më 3 prill 2023.

Të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Nga ana e saj, mbrojtja është shprehur optimiste për një vendim në favor të klientëve të saj, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të sfiduar themelet e akt-akuzës.

Ndërkohë, Gjykata Speciale vazhdon të përballet me kritika të vazhdueshme për mungesë transparence dhe qasje të kufizuar të publikut në procesin gjyqësor. Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësime për respektimin e standardeve ndërkombëtare të një gjykimi të drejtë.