“Tani ke në krah vetëm avokatët e tu”, fjalët e fundit politike të Ramës për Ballukun: Paç fatin që meriton, çfarëdo qoftë ai!

Në përfundim të fjalës së tij për mbi një orë, kryeministri Rama falënderoi Ballukun për drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës për gjashtë vite duke shtuar se në përballjen me gjyqësorin ajo do të ketë në krah vetëm avokatët e saj.

Ai ka deklaruar se kërkesa e SPAK për arrestimin e saj nuk është e justifikuar me provat e dorëzuara nga Prokuroria e Posaçme, aq më tepër që duhet pasur parasysh sipas tij fati që Balluku është edhe prind i vetëm i një vajze të vogël.

Fjalimin, Rama e mbylli me kërkim falje ndaj Ballukut për mos pranimin e tre dorëheqjeve të dorëzuara prej saj, ndërsa i ka kujtuar se në betejën me drejtësinë, ish- ministrja, tashmë vetëm deputete, do të ketë në krah vetëm avokatët.

Rama: E falënderoj Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që Meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të të 3 dorëheqjeve të veta të cilat pavarësisht interesit të saj apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne. I kam refuzuar sepse gjyqësori u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurtë që po e mësova do tua tregoj, u kuturis në territorin e pavarësisë së pushteti të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo do të jetë e patolerueshme sa të jem unë në këtë detyrë.