Sylvinho përpara ndeshjes me Andorrën: Nuk mund të bëjmë eksperimente me lojtarë të rinj!

TIRANE – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave për të shpjeguar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë, vendimtare për kualifikueset e Botërorit 2026.

Tekniku ka shpjeguar para mediave zgjedhjet e tij, teksa ka detajuar edhe planin dhe pritshmëritë që ka për ekipin për këto dy sfida që mund të hapin rrugën drejt pjesëmarrjes historike në play-off të Botërorit 2026.

“Për pak kohë bëhen 3 vite qëkur kam marrë drejtimin e Kombëtares. Jemi ende në lojë për të shkuar në Play off. Kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara dhe nuk është momenti ynë për të marrë lojtarët që luajnë 100% me klubet e tyre. Nuk mund të zgjedhim 40 lojtarë. Cili është lojtari dhe golashënuesi më i mirë me Kombëtaren në këto kohët e fundit? Është Bajrami me 7 gola dhe Asani me 6 gola. Tani është momenti për të vlerësuar lojtarët që kam grumbulluar.

Do të jetë një ndeshje e vështirë. Unë e respektoj Andorrën si kundërshtar. Ishte një ndeshje e vështirë mes Andorrës dhe Serbisë. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe për ne. Ata mbrohen shumë e luajnë me shpirt. Nuk bëjmë llogari në këtë momente. Kemi bërë një ecuri të mirë. Kemi vetëm një humbje me Anglinë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë.”

MEDON BRISHA – Sa më shumë të luajë Medon Berisha, aq më mirë për ne. Më pëlqen shumë si lojtar. E kemi marrë në Europian për të fituar eksperiencën dhe të ndihmojë Kombëtaren. Ka disa limite me ndryshimet gjatë ndeshjeve, madje edhe në miqësore. Është në një moment të mirë me klubin e tij. Gripshi më pëlqeu me Jordaninë. Është inteligjent dhe ka mundësi për të shënuar. Ai ka 15 ditë që është me pushime. Ne na duhen lojtarë që momentalisht po stërviten. Nuk kam kohë të mendojmë për grumbullimet e tjera, por vetëm për ndeshjet me Andorrën e Anglinë.

ISMAJLI – Rikthimi i Ismajlit, jam tepër i lumtur. Kishte një dëmtim, por tashmë e ka lënë pas. Sa i përket Tucit, është një lojtar që ka luajtur dy ndeshje në Nations League. Pati një transferim, por humbi kohë sepse ishte i dëmtuar. Është një lojtar që natyralisht është në rolin e trekuartistit, por transformohet në një sulmues qendre. Është një opsion ekstra sepse të jep mundësi të shënojë gol.

MINUTAT E LOJTAREVE – Kriteri ka qenë gjithmonë i tillë. Nuk grumbullojmë një lojtar që mund të luajë 10 ndeshje me Realin. Dua të bëj një paralelizëm me Rey Manajn. Ai humbi një penallti kundër Serbisë dhe të gjithë thanë që nuk duhej grumbulluar më. Pas 97 ditësh u kthye në hero. Ai është një lojtar shumë i mirë. Bajrami nuk luan por është golashënuesi më i mirë që kemi. Duhet të fusim lojtarë që e përfaqësojnë më së miri fanellën e Shqipërisë. Këta lojtarë na japin besim. Ky ka qenë kriteri. Kemi bërë disa ndryshime gjatë këtyre tre vite.