ELBASAN – Pas nëntë ndeshjesh, Partizani i ka shkaktuar humbjen e parë trajnerit Ilir Daja që nga momenti që është ulur në stolin e bluve. Të kuqtë e kryeqytetit kanë arritur të fitojnë 2-1 “derbin e vogël” të kryeqytetit, dhe tashmë në kuotën e 24 pikëve udhëheqin të vetëm renditjen e superiors.
Në sfidën e luajtur në Elbasan Arena, pas një pjese të parë pa gola, “Të kuqtë” kaluan në avantazh në fillimin e pjesës së dytë. Pikërisht në minutën e 48-të ishte Cara që lëshoi një të majtë të pakapshme për portierin Sali, dhe 0-1.
Megjithatë, avantazhi i të kuqve nuk ka zgjatur shumë, pasi dinamovitët kanë reaguar menjëherë me të përhershmin Zabërgja, i cili ka arritur të mposhtë portierin Qirko në minutën e 54-t për të vendosur barazpeshën 1-1.
Për të vendosur fatin e kësaj sfide ka menduar Rrapaj, që në minutën e 62-të e ka dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje të befasishme. Rezultati 1-2 mbeti në fuqi deri në fund, me Partizanin që ndihet komod në vendin e parë me 24 pikë, ndjekur nga Vllaznia me 22 pikë.
Kjo është humbja e parë për trajnerin Ilir Daja, që kur mori drejtimin e skuadrës dhe pikërisht në derbin me të kuqtë që u mbyll në një barazim emocionues 2-2 para 10 javësh (4 fitore, 5 barazime, 1 humbje). Ndërkohë, Veselinoviç vazhdon të mos njohë humbje si trajner i Partizanit, pas 11 javësh në pankinën e kuqe.
