TIRANA- Deputeti Dashnor Sula ka tërhequr emrin nga lista e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Sipas informacioneve, vendimi është marrë për shkak të mosarritjes së dakordësisë për mënyren si do të funksionojë bashkëpunimi në qarkun e Elbasanit. Emri i Sulës ishte në pozicionin e listës se hapur, por nuk ka marrë garanci se nëse merr votat e mjaftueshme për të dalë deputet, pesë kandidatët e listës së mbyllur do ta linin mandatin e deputetit.
Sula dhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ishin në negociata për mundesinë që deputeti demokrat të kandidonte me këtë formacion politik, por ata nuk kanë arritur të dakordesojnë dhe finalizojnë një bashkëpunim në zgjedhjet e 11 majit. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike apo koalicionet zgjedhore, edhe pse janë regjistruar në KQZ ne daten 12 mars, kanë të drejtë të ndërrojnë emra edhe për 4 ditët në vazhdim.
Më 12 mars deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula njoftoi se nuk do të jetë pjesë e listës së PD që do garojnë për zgjedhjet e 11 majit. Përmes një postimi në Facebook, Sula u shpreh se arsyeja e largimit të tij është për shkak se mbështet Prokurorinë e Posaçme, Gjykatën e Posaçme dhe Reformën në Drejtësi. Ai thoshte se mbështetjen për këto institucione do vazhdojë ta shprehë sepse sipas tij, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.
Ndërsa ngrinte pyetjen “a po respektohen kriteret e statutit të PD-së?”, Sula tha se në 4 vite si deputet ka denoncuar shumë shkelje dhe Instituti i Studimeve Politike e ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje. Në procesin e Primareve në qarkun e Elbasanit, Sula rezultoi kandidati më i votuar dhe për këtë ai falenderoi demokratët e Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshit e Belshit.
