Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën. Në Tiranë besimtarë katolikë u mblodhën mbrëmë në katedralen ‘Shën Pali’ në Tiranë, për të ndjekur meshën nga Imzot Arjan Dodaj. Besimtarët shprehën urimet e tyre për sa më shumë shëndet e mirësi.
Si lindi festa e Krishtlindjes
25 dhjetori shënon ngjarjen në të cilën Zoti u bë njeri, i lindur si një foshnjë e pafuqishme në një stallë për bagëti. Mishërimi i Zotit është një moment kyç në historinë e shpëtimit dhe kuptohet si fillimi i një akti dashurie hyjnore për njerëzimin që kulmon me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit në Pashkë. Lindja e Krishtit zbulon paradoksin e madhështisë hyjnore të shprehur përmes një foshnjeje të brishtë dhe varfërisë njerëzore.
Historia e Krishtlindjeve është e mbushur me mrekulli dhe kontraste simbolike: një virgjëreshë shtatzënë, barinjtë që lajmërohen nga engjëjt dhe një foshnjë të cilës i dhurojnë pasuri tre mbretër.
Që nga fillimi i shekullit të 20-të, Krishtlindja u transformua gjithashtu në një festë laike familjare, e respektuar edhe prej jo-të krishterëve e karakterizuar nga një shkëmbim dhuratash. Pjesë e kësaj feste u bë edhe një figurë mitike e quajtur Babagjyshi i Krishtlindjes. Periudha festive nis me Adventin deri në Epifani dhe është një sezon i pasur me tradita të panumërta fetare dhe laike që bashkojnë familjen, besimin dhe kulturën, duke theksuar temat e shpresës, gëzimit, bujarisë dhe vullnetit të mirë.













