Sot Dita e Rinisë, PD marshim nga Qyteti Studenti deri te Kryeministria

Marshimit do t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

TIRANË- Sot për Ditën e Rinisë, Partia Demokratike do të zhvillojë një marshim-protestë në Tiranë. PD ka njoftuar se marshimi do të nisë në orën 11:00 nga Qytet Studenti deri te Kryeministria.

Partia Demokratike fton çdo të ri që t’iu bashkohet në marshim, duke theksuar se rinia shqiptare nuk ka luksin për ta kremtuar këtë ditë si një ditë feste, për sa kohë “Rilindja” i ka ekspozuar përballë eksodit drastik dhe kriminalizimit masiv. Marshimit do t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

POSTIMI I PLOTË:

Në kuadër të 8 Dhjetorit Ditës së Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ditën e diel ora 11:00 do organizojë një protestë marshim nga Qytet Studenti deri para Kryeministrisë. Të rinjtë shqiptar nuk e kanë luksin për të kremtuar këtë ditë si një ditë feste, sa kohë Rilindja në 11 vite të qeverisjes së saj i ka ekspozuar përballë eksodit drastik dhe kriminalizimit masiv.

Ftojmë çdo të ri që ndjen veten se përballë zhvatjes dhe përçmimit nuk mjafton indiferentizmi, të na bashkohet në këtë marshim, pasi nuk e kemi luksin që prindërit tanë të protestojnë për ne.

Koha na e kërkon që të jemi në lartësinë e studentëve të dhjetorit 90’ që bënë që 8 Dhjetori të hyjë në historinë tonë si Dita e Rinisë. Ftojmë mediet të pasqyrojë këtë marshim. Me konsideratë, Xhorxhia Niço Zëdhënëse e FRPD.