Bratislavë, 26 Shtator 2025
Parlamenti i Sllovakisë ka miratuar një amendament të ri kushtetues që njeh vetëm dy gjini – mashkull dhe femër – duke sjellë ndryshime të thella në politikën sociale dhe ligjore të vendit. Ky vendim, i propozuar nga qeveria e kryeministrit Robert Fico, kaloi me 90 vota pro në Këshillin Kombëtar prej 150 anëtarësh, me mbështetjen e disa deputetëve nga opozita konservatore.
Sipas kushtetutës së re, Sllovakia konfirmon sovranitetin e saj në çështje të identitetit kombëtar dhe vlerave kulturore-etike, duke u pozicionuar qartë kundër asaj që Fico e quan “ideologji progresive”. Ndryshimet e reja gjithashtu e bëjnë pothuajse të pamundur që personat beqarë apo çiftet jo të martuara të birësojnë fëmijë, ndërsa kërkohet pëlqimi i prindërve për aksesin e fëmijëve në edukim seksual në shkolla. Po ashtu, kushtetuta tani garanton pagë të barabartë për burrat dhe gratë.
Ministri i Drejtësisë, Boris Susko, deklaroi në parlament se amendamenti synon të mbrojë vlerat tradicionale dhe familjen si bazë e shoqërisë. Ndërkohë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, dënoi ndryshimet duke paralajmëruar për rrezikun e erozionit të të drejtave themelore. “Sot, qeveria sllovake zgjodhi të ndjekë shembullin e vendeve si Hungaria, politikat e të cilave kanë çuar në përkeqësim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, kishte kërkuar më herët që Parlamenti të mos e miratonte këtë ndryshim. Ai theksoi se masa të tilla mohojnë realitetin e personave transgjinorë dhe interseksualë dhe bien ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Sllovakisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kryeministri Robert Fico, një figurë përçarëse në politikën evropiane, ka deklaruar se këto masa janë një mburojë kundër “ideologjive të imponuara nga jashtë”. Që prej rikthimit të tij në pushtet, ai është kritikuar për qëndrimet pro-ruse dhe për largimin nga vlerat dhe politikat pro-perëndimore. Ndër të tjera, ai ka refuzuar t’i bashkohet Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka deklaruar se Ukraina nuk duhet të ftohet të anëtarësohet në NATO.
Ndryshimet e fundit në kushtetutën sllovake pritet të jenë objekt debatit të gjerë brenda BE-së dhe në forumet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
