Skandali Pandora Papers/ Artan Hoxha: Shqiptari i “Pandoras” të tregojë shokët

Gazetari investigativ Artan Hoxha dha detaje në ABC Live në lidhje me personazhet e politikës që mund të jenë të përfshirë në “Pandora Papers”.

Një prej personave të përfshirë aty është biznesmeni Vasil Kallupi, i cili sipas dosjeve të publikuara nga gazetarët investigativë ndërkombëtarë pak ditë më parë, rezulton të ketë paguar 3.6 milion euro ndaj një kompanie të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo shumë sipas Artan Hoxhës është pikërisht rryshfeti që është marrë nga një person i rendësishëm në vend për tenderin e dhënë ndaj kompanisë boshnjake “Energo Invest” për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri.

Hoxha tha se hetimi në këtë rast nuk duhet të hetohet mbi biznesmenin, por mbi personin që mori këto para pasi sipas tij duket qartë se bëhet fjalë për një rryshfet të majmë që ka marrë një politikan i rendësishëm.

Gazetari i ABC tha se Kallupi duhet të “tregojë shokët” duke zbuluar se kush i mori ato 3.6 milion euro.

“Ne na intereson gjirizi jonë që kemi dhe unë shikoj se vëmendja është fokusuar te një kompani biznesi, tek biznesmeni Vasil Kallupi, dhe tek mbesa e gruas së tij. Kjo është një foto e bërë në Prizren në 2013 ku sapo kishte ardhur në pushtet qeveria e majtë, ku në foto shihet Gjiknuri. Kjo foto është bërë në një aktivitet në Kosovë për një investim energjitik, ku ne në fillim ne e penguam kur kishim PD-në në pushtet, kur erdhi PS-ja në pushtet sërish operatorin e kishte LSI-ja dhe kjo është dita kur është nënshkruar ku loti në Kosovë ju dha kompanisë kroate dhe në Shqipëri kompanisë boshnjake. Aty është drejtori i asaj kohe, Engjëll Zeko, ministri i Kosovës Fadil Ismaijli, drejtori i kompanisë së energjitikës së Kosovës pasi ato e kanë firmosur marrëveshjen.

Por çfarë lidhje ka kjo me Pandora Paper? 13% e gjithë kontratës nuk i ka marrë Vasili, pasi gazetarët që janë marrë me këtë punë deri te Vasili kanë shkuar, por pas tij është një peshk i madh. Kompania eVasilit që ka bërë këtë punë ka paguar një shumë të konsiderueshme.

Ne akoma nuk e kemi kapur ujkun kemi vetëm gjurmën, ne duhet që të gjejmë kush i ka marrë paratë pasi Vasili ka marrë vetëm interesin e shërbimit të tij. Kontratën e ka firmosur drejtori i OSHEE-së i joni. Por çështja është se kush është ministri, kryeministri apo politikan që i ka marrë ato. Në rastin konkret autoritete kanë mundësinë që të thërrasin biznesmenin dhe mbesën e tij të gruas për ta pyetur se kush i ka marrë ato para”, ka thënë Hoxha.