Skandal! AKU bllokon 1200 kg pluhur toksik për ëmbëlsira, 835 kg janë konsumuar

Tiranë, 20 qershor 2025 – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërhyrë pas një njoftimi urgjent nga sistemi europian i alarmit për ushqimin (RASFF), duke bllokuar një sasi prej 1200 kg të produktit “Red Forest Fruit Cake”, një pluhur që përdoret për ëmbëlsira në tregun shqiptar. Ky produkt përmbante një pigment të rrezikshëm të ndaluar për konsum njerëzor.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU, bëhet fjalë për substancën “e kuqe reaktive 141”, një pigment sintetik i përdorur zakonisht për ngjyrosjen e tekstileve, veçanërisht pambukut dhe fibrave natyrale. Ky përbërës është rreptësisht i ndaluar për përdorim në ushqime dhe kozmetikë, për shkak të rrezikut potencial serioz që paraqet për shëndetin e njeriut.

Produktet e kontaminuara janë me origjinë nga Turqia dhe janë sinjalizuar fillimisht nga autoritetet greke përmes rrjetit RASFF. Pas ndjekjes së gjurmueshmërisë në Shqipëri, inspektorët e AKU kanë arritur të bllokojnë vetëm 365 kg nga sasia totale, ndërsa 835 kg të tjera rezultojnë të jenë shpërndarë dhe konsumuar.

Në njoftimin zyrtar, AKU thekson se “pas kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë, është bllokuar sasia e gjetur në subjekte të produktit Red Forest Fruit Cake me destinacion asgjësimin”.

Ky incident ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe nevojën për kontrolle më rigoroze të produkteve të importuara në vend.