Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ende nuk e ka fituar plotësisht besimin e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe politikës fito-sanitare.
Në progrestraportin për vendin tonë, KE thekson se kemi “një nivel të caktuar përgatitjeje” në këto fusha, por gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar.
Sipas dokumentit, janë miratuar ligjet për shëndetin e kafshëve dhe bimëve, por mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të përputhjes së legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së dhe zbatimit praktik të tyre.
Komisioni rikujton se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa nënvizon nevojën që Shqipëria të përforcojë strukturat inspektuese.
“Gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar. Janë miratuar ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve. Megjithatë, janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për përputhjen e legjislacionit të këtij kapitulli me acquis-in e BE-së dhe për zbatimin e tij. Shqipëria duhet të zbatojë politikën kombëtare të miratuar për sigurinë ushqimore”, konstatohet në progresraport.













