Më 25 janar 1995, në kulmin e një dite dimri të acartë, bota u afrua më shumë seç duhet me një nga skenarët më të errët të Luftës së Ftohtë.
Një raketë e lëshuar nga Norvegjia për qëllime shkencore, për të studiuar Dritat Veriore (aurora borealis), u interpretua gabimisht nga sistemet ruse të paralajmërimit të hershëm si një raketë bërthamore në kurs të drejtpërdrejtë drejt Moskës.
Në radarët e stacioneve ushtarake në veri të Rusisë u shfaq një sinjal kërcënues, një objekt i nisur nga brigjet norvegjeze po ngrihej me shpejtësi të madhe.
Pyetja ishte dramatike dhe urgjente, ku po shkonte dhe a përbënte një sulm? Edhe pse rënia e Murit të Berlinit kishte ushqyer idenë se tensionet bërthamore i përkisnin së shkuarës, realiteti doli të ishte më i brishtë.
Për oficerët që monitoronin qiellin, pasojat e mundshme ishin tronditëse. Ata e dinin se një raketë e vetme e lëshuar nga një nëndetëse amerikane në ato ujëra mund të sillte tetë koka bërthamore në Moskë brenda 15 minutash. Informacioni u përcoll me urgjencë në majë të zinxhirit të komandës, deri te presidenti rus i asaj kohe, Boris Jelcin.
Jelcini u bë lideri i parë botëror që aktivizoi të ashtuquajturën “valixhe bërthamore”, pajisja që përmban protokollet dhe teknologjinë për autorizimin e një kundërsulmi bërthamor. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, fuqitë bërthamore kanë operuar mbi parimin e parandalimit: ideja se një sulm i madh do të sillte shkatërrim të ndërsjellë të sigurt. Në ato momente të ngrira nga ankthi, Jelcini dhe këshilltarët e tij duhej të vendosnin me shpejtësi nëse do të reagonin.
Siç dihet sot, kjo zinxhir ngjarjesh alarmante nuk përfundoi në katastrofë. Përkundrazi, historia u mbyll si një episod pothuajse ironik në fund të lajmeve të mbrëmjes.
Prezantuesi i BBC Newsnight, Jeremy Paxman, komentoi me sarkazëm se “lufta bërthamore nuk shpërtheu sot”, pavarësisht raporteve fillestare të agjencisë ruse Interfax, e cila kishte njoftuar gabimisht se Rusia kishte rrëzuar një raketë hyrëse.
Ndërkohë, tregjet valutore globale u lëkundën, ndërsa politikanë, gjeneralë dhe gazetarë kaluan mbi një orë në një gjendje konfuzioni dhe kërkimi të ethshëm për informacion. Vetëm në orën 14:52 GMT erdhi sqarimi vendimtar, Interfax korrigjoi raportimin, duke bërë të ditur se, edhe pse sistemi i paralajmërimit të hershëm kishte regjistruar lëshimin e një rakete, ajo kishte rënë në territor norvegjez.
Autoritetet në Oslo konfirmuan më pas se bëhej fjalë për një lëshim paqësor, pjesë e një programi rutinë kërkimor shkencor në një poligon civil. Raketës i ishte caktuar të mblidhte të dhëna mbi aurora borealis dhe ajo ra, sipas planit, në det pranë ishullit arktik Spitzbergen, larg hapësirës ajrore ruse. Megjithatë, burime anonime të mbrojtjes ruse deklaruan për Interfax se ishte “shumë herët për të thënë” nëse lëshimi kishte për qëllim testimin e radarëve rusë.
Ndjeshmëria ruse ndaj mbrojtjes ajrore ishte e rrënjosur thellë, veçanërisht pas incidentit të vitit 1987, kur adoleshenti gjerman Mathias Rust fluturoi mbi 750 kilometra përmes mbrojtjes sovjetike dhe u ul pranë Kremlinit. Edhe pse Lufta e Ftohtë kishte përfunduar, nervozizmi mbetej.
Shkencëtari norvegjez Kolbjørn Adolfsen, i përfshirë në projekt, tregoi se ishte tmerruar nga reagimi. Ai theksoi se Moska ishte njoftuar paraprakisht për lëshimin, që më 14 dhjetor, përmes kanaleve diplomatike. Sipas tij, reagimi rus mund të ishte nxitur nga fakti se raketa kishte arritur një trajektore balistike jashtëzakonisht të lartë, rreth 908 milje lartësi.
“Megjithatë, kjo nuk duhej të kishte qenë surprizë”, tha ai, duke shtuar se mesazhi duket se nuk kishte mbërritur kurrë në zyrat e duhura. Një kujtesë e ftohtë se sa katastrofike mund të jenë pasojat e një komunikimi të humbur.
Vetë Jelcini, një ditë pas incidentit, deklaroi për Interfax se kishte përdorur për herë të parë “valixhen e zezë”.
“Ndoshta dikush vendosi të na testojë”, tha ai, duke aluduar se perceptimi i dobësisë së ushtrisë ruse mund të kishte luajtur rol. Opinionet mbi rrezikun real të incidentit mbeten të ndara, disa ish-zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar si “momentin më të rrezikshëm të epokës së raketave bërthamore”, ndërsa ekspertë të tjerë rusë e kanë minimizuar, duke e quajtur alarm të zbrazët.
Pesë ditë më vonë, Rusia e kishte cilësuar ngjarjen si “një keqkuptim” që nuk duhet të përsëritet. Ministria e Jashtme ruse theksoi se Norvegjia kishte vepruar sipas procedurave standarde dhe se nuk kishte vend për armiqësi.
Megjithatë, fakti mbetet shqetësues: një raketë e padëmshme meteorologjike mjaftoi për të sjellë botën në prag të një paniku bërthamor. Një episod që, edhe sot, shërben si paralajmërim i fortë për rreziqet e keqkomunikimit në një botë ende të armatosur me armë shkatërrimi masiv. /BBC













