Si do ta ndihmojnë Ballkanin 6 miliardë eurot e kushtëzuara të BE-së?

Gjashtë miliardë euro – ky është fondi që Bashkimi Evropian ka planifikuar të ndajë për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Plani, pak a shumë, thotë kështu: Kush i kryen reformat e parapara, i merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa.

Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces. Madje, nëse vërehen përpjekje, ato mund të ndëshkohen.

Ndër synimet kryesore të të ashtuquajturit “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është që të forcohet një treg i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me atë të BE-së.

Përfitimet nga liria e lëvizjes

Një grup i Bankës Botërore ka vlerësuar se një treg i përbashkët rajonal do të mund të rriste PBB-në e rajonit për 10 për qind.

Për BE-në, një treg i tillë është thelbësor, për dy arsye:

zhbllokon potencialin ekonomik të rajonit
krijon mundësi për kompanitë vendore, duke e bërë rajonin më atraktiv për investitorët evropianë
Nga lëvizja e mallrave pritet të zvogëlohet koha e pritjes për tri orë, çka më pas do ta ulte edhe koston e tarifave për 2 për qind.

Aktualisht, ekonomia e BE-së kap vlerën e mbi 15 trilionë eurove, ndërsa ekonomia e vendeve të Ballkanit përbën vetëm 0.06 për qind të ekonomisë së bllokut, apo rreth 100 miliardë euro.

Përmendet edhe mundësia e këmbimit të shërbimeve dhe njohja e disa kualifikimeve profesionale të shtetasve të Ballkanit nga ana e BE-së.

Lehtësime pritet të ketë edhe për të rinjtë që të studiojnë në bllok, ndërsa parashihet edhe heqja e tarifave për roming për telefoninë mobile dhe internetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Rruga drejt BE-së

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022 dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me bllokun.

Vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në disa raste, është përmendur që BE-ja duhet të përgatitet për t’i pranuar anëtarët e rinj deri më 2030.

Sipas një sondazhi të kryer nga agjenci të bllokut evropian, pjesa më e madhe e banorëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se anëtarësimi në BE do të përbënte lajm të mirë.