Shqiptarët shtojnë blerjet e makinave, dominon Koreja e Jugut

Çdo ditë në Shqipëri regjistrohen mbi 235 mjete të reja që i shtohen rrjetit rrugor shqiptar.

Sipas DPSHTRR, nga janari deri në shtator në Shqipëri janë regjistruar mbi 74 mijë mjete të reja, duke ndikuar në rritjen e automotorizimit në vend.

Ajo që bie në sy nga të dhënat e Drejtorisë së Transportit Rrugor është fakti se 82% e mjeteve të regjistruara për herë të parë janë autovetura.

Krahasuar me vitin 2019, kemi 101% më shumë automjete në vitin 2025.

Flota e automjeteve në Shqipëri përbëhet kryesisht nga importi nga Koreja e Jugut, Italia, Gjermania, Zvicra, Kina dhe SHBA.

Aktualisht, në Shqipëri janë në qarkullim mbi 1 milion automjete. Kjo do të thotë se një në dy shqiptarë në vendin tonë ka tashmë një automjet.

E ndërsa infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, makinat vijojnë të shtohen, kryesisht ato për përdorim personal dhe jo për transport publik.

Nga mbi 1 milion automjete që janë në qarkullim, afro 35% i përkasin qarkut të Tiranës.