Shqipëria ka popullsinë më të re se BE – Turqia me moshën mesatare më të ulët në Evropë, Italia renditet në fund

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, Shqipëria ka një moshë mesatare prej 44.3 vjeç, duke e vendosur vendin pak nën mesataren e Bashkimit Europian, që në fillim të vitit 2025 arriti në 44.9 vjeç. Kjo tregon se gjysma e popullsisë së BE-së është më e vjetër se 44.9 vjeç, ndërsa gjysma tjetër më e re.

Në rajon, Mali i Zi ka popullsinë më të re, ndërsa Maqedonia e Veriut shënon një moshë mesatare rreth 42 vjeç. Ndërkohë moshën më të lartë e shfaq Serbia me 45.4 vjeç, duke qënë kështu shteti më I vjetër në rajon.

Megjithatë, ndryshimet mes vendeve të Ballkanit nuk janë të mëdha, duke treguar një stabilitet relativ në strukturën demografike.

Në nivel e BE, mosha mesatare ka shënuar një rritje prej 2.1 vitesh që nga viti 2015, kur mesatarja ishte 42.8 vite.

Kjo rritje u regjistrua në të gjitha vendet e BE-së, përveç Gjermanisë dhe Maltës. Plakja më e theksuar e popullsisë u vërejt në Sllovaki dhe Qipro, ku mesatarja u rrit me 4 vite, ndërsa Italia, Greqia dhe Polonia regjistruan një rritje prej 3.8 vjetësh secila. Portugalia gjithashtu shënoi një trend të ngjashëm.

Ndër vendet më të reja në Evropë veçohen Turqia, me një moshë mesatare 34.4 vjeç, dhe Azerbajxhani, me 35.1 vjeç.

Popullsi të reja shihen edhe në Islandë dhe Gjeorgji, duke krijuar kontrast të qartë me vendet e plakura të Europës perëndimore. Nga ana tjetër, Italia mbetet shteti me popullsi më të vjetër në kontinent, me një moshë mesatare 49.1 vjeç, dhe trendi negativ është i dukshëm gjithashtu në Portugali, Bullgari dhe Turqi.

Kjo plakje e popullsisë ka pasoja të rëndësishme për tregun e punës, sistemet shëndetësore dhe pension, duke nënvizuar nevojën për politika që stimulojnë lindshmërinë dhe integrimin e të rinjve në ekonomi.