“Shqipëria Bëhet” dhe Nisma Thurje zyrtarizojnë koalicionin për zgjedhjet, Lapaj: Po negociojmë edhe me subjektet e tjera

Tiranë, 28 shkurt 2025

Koalicioni mes “Shqipëria Bëhet” dhe Nismës Thurje është zyrtarizuar sot për zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që lideri i “Shqipëria Bëhet”, Andi Lapaj, ka theksuar se janë ende në negociata me subjekte të tjera që mund t’i bashkohen këtij koalicioni.

Lapaj ka deklaruar se ky koalicion ka një angazhim të qartë për të shmangur bashkëpunimin me partitë që, sipas tij, kanë përfaqësuar “rrënimin e Shqipërisë” gjatë 34 viteve të fundit. Ai shtoi se deri në përfundim të afatit të koalicionit, pritet që edhe parti të tjera të bashkohen për të krijuar një alternativë më të fortë në zgjedhjet e ardhshme.

“Kemi thënë që s’ka bashkëpunim me asnjë prej subjekteve që kanë përfaqësuar rrënimin e Shqipërisë dhe do bëjmë çdo tentativë për të punuar me subjekte që nuk bartin mëkate të 34 viteve. Dua të theksoj se jemi në negociata dhe deri në fund të afatit koalicionit do t’i bashkohen edhe subjekte të tjera”, theksoi Lapaj.

Ky koalicion është një hap i rëndësishëm për të konsoliduar një alternativë politike që do të përpiqet të tërheqë qytetarët që kërkojnë ndryshim dhe një qeverisje më të pastër.