Shpresë për familjen Malluta/ Si do t’i mbështesë Bashkia Prrenjas pas kronikës së Elbasanion?

Pas kronikës së Elbasanion për kushtet e mjerueshme në të cilat jetonte familja Malluta, vjen reagimi i parë nga Bashkia Prrenjas dhe Drejtoria e ZVA.

Për familjen Malluta e cila jetonte në kushte tejet të vështira, pa asnjë lloj mbështetjeje dhe me djalin me probleme të shëndetit mendor u gjet zgjidhje. Zaimi thotë se më në fund jeta për ta do të bëhet më e lehtë. Drejtori i ZVA Mehdi Hana dhe drejtori i shkollës ku studion i biri i kanë premtuar se do të tregojnë kujdes të vecantë.

“Pas ndërhyrjes tuaj dhe të drejtorit ma trajtojnë më mirë djalin. Jam shumë i kënaqur dhe djali po ashtu”- u shpreh Zaimi.

Drejtori i ZVA Medi Hana thotë se janë marrë masa që alberti të marrë trajtim të vecantë dhe do t’i ofrohen ndihma simbolike, rroba të reja, si dhe familjes do t’i plotësohen kushtet bazë të higjenës.

 

“Për rastin në fjalë, ne duke ditur gjendjen e familjes e kemi trajtuar në mënyrë të veçantë duke i ofruar shërbim psikologjik, jo vetëm në shkollë, por edhe në rang ZVA-je. Qeveria e nxënësve në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës do t’i ofrojnë familjes Malluta një ndihmë simbolike për t’i mbështetur financiarisht”- u shpreh ai.

Nga ana tjetër Bashkia Prrenjas do t’i vijë në ndihmë kësaj familjeje me një ndihmë të konsiderueshme mujore që do t’u plotësojë nevojat për ushqim dhe veshmbathje.