Një koalicion i gjerë organizatash të shoqërisë civile dhe medias ka publikuar sot një Deklaratë të Përbashkët ku kërkon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes dhe mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë.
Deklarata vjen pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal në Komisionin për Çështjet Ligjore më 21 janar. Ndërsa organizatat mirëpresin forcimin e mbrojtjes penale të gazetarëve kur ata sulmohen për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, theksojnë se ndryshimet nuk sjellin dekriminalizim të përgjithshëm, pasi përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm për veprën e shpifjes, jo për fyerjen dhe jo për të gjithë individët.
Sipas organizatave nënshkruese, kjo qasje ruan përgjegjësinë penale për fjalën e lirë për pjesën më të madhe të aktorëve publikë, krijon pasiguri juridike për shkak të kritereve statusore dhe formulimeve të paqarta, dhe nuk përmbush standardet evropiane që kërkojnë mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes, të bazuar në interesin publik dhe jo në statusin profesional.
Shoqëria civile i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që, përpara miratimit përfundimtar, të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë individët, duke e lidhur mbrojtjen ligjore me shprehjen në interes publik dhe mirëbesimin, dhe jo me statusin profesional.
Deklarata e plotë:
https://scidevcenter.org/wp-content/uploads/2026/01/Deklarata-22-Janar-2026.pdf













