Shkolla e Mesme “Dhaskal Todri” u bë pjesë e fazës së parë të Festivalit të Shkencës, një aktivitet arsimor që solli së bashku nxënës, mësues dhe prindër në një atmosferë bashkëpunimi dhe prezantimi idesh. Aktiviteti synon të nxisë interesin e të rinjve për kërkimin shkencor dhe aplikimin praktik të njohurive të marra në shkollë.

Gjatë mini-ekspozitës shkencore, nxënësit prezantuan projekte të realizuara në grup, të fokusuara kryesisht në tema që lidhen me mjedisin, riciklimin, teknologjinë dhe fenomenet natyrore. Prezantimet u shoqëruan me diskutime dhe shkëmbim mendimesh, duke krijuar një hapësirë ku të rinjtë patën mundësi të shpjegojnë punën dhe idetë e tyre.

Në festival morën pjesë grupet “Oaz’ i Zanës”, “Plastika nga niseshteja”, “Cartbox”, “Green Deeds”, “Air2Soil” dhe “Echo Vena”, të cilat paraqitën qasje të ndryshme dhe zgjidhje praktike në fushën e inovacionit dhe mbrojtjes së mjedisit, nën drejtimin e mësuesve koordinatorë.

Në aktivitet ishte e pranishme edhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit në Elbasan, Vesa Llanaj Liço, e cila përgëzoi nxënësit për angazhimin dhe punën e tyre gjatë përgatitjes së projekteve.

Faza e parë e Festivalit të Shkencës përbën një mundësi për nxënësit që të prezantojnë aftësitë e tyre në një format bashkëpunues dhe edukativ, ndërsa aktiviteti pritet të vijojë me fazat e tjera të konkurrimit.