Shkarkimi i Veliajt vendoset të martën. Blushi: Mbledhja të mbahet në Sharrë, aty ku nisi afera e inceneratorit

TIRANË- Tedi Blushi është shprehur se mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt duhet të mbahet në Sharrë, te inceneratori që nuk ekziston. Me anë të një postimi në Facebook, Blushi thekson se miliona euro të taksapaguesve zhduken çdo vit për një incenerator fantazmë, por që vijon të gllabërojë 90 mijë euro/ditë, me firmë e vulë të Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

Reagimi i Tedi Blushit

Mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt duhet të mbahet në Sharrë, te inceneratori që nuk ekziston. Pikërisht aty ku nisi një nga aferat më të mëdha korruptive të kryeqytetit, duhet të nisë edhe pastrimi i Tiranës nga korrupsioni, inkriminimi dhe abuzimi me pushtetin.

Miliona euro të taksapaguesve zhduken çdo vit për një incenerator fantazmë, por që vijon të gllabërojë 90 mijë euro/ditë, me firmë e vulë të Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Debatet për ligjshmërinë e shkarkimit mes dy pronarëve de facto të inceneratorit të paligjshëm janë farsë. Ato nuk ndryshojnë faktin se qytetarët po vidhen sot e do të vazhdojnë të vidhen për 3 dekada (sipas projektit).

Tirana ka nevojë për një mesazh të qartë: Askush nuk është mbi ligjin. Dhe vendi më i goditur për ta dhënë këtë mesazh është aty ku paligjshmëria mori formë, në truallin e inceneratorit që nuk ekzistoi kurrë.
Llogaridhënia duhet të nisë aty.