Sherri me thi*ka mes adoleshentëve, dëshmitarja okulare: Pashë një nga djemtë të shtrirë në tokë, askush nuk ndërhyri, ambulanca nuk erdhi

TIRANË- Një ngjarje tronditëse ndodhi mesditën e sotme në kryeqytet, ku pas një sherri me thika mes adoleshentëve, humbi jetën 14-vjeçari, M. C.

Ndërkohë një dëshmitare okulare, ka rrëfyer për Top Channel momentin pak minuta pasi kishte ndodhur sherri. Dëshmitarja shprehet se në momentin që ajo po kalonte në atë zonë, kishte parë njërin prej të rinjve në tokë. Ajo theksoi se nuk kishte ndërhyrë askush dhe se në vendgjarje nuk kishte mbërritur ambulanca në kohë, prandaj i mituri është transportuar në spital me një makinë të kuqe.

“S’pashë gjë. Ai (i mituri) ishte shtrirë aty. Pashë vetëm një djalë aty. Tani që e pashë në televizor. Atë (të miturin) që pashë unë ishte shtrirë. Ambulanca nuk erdhi menjëherë. Erdhi një makinë e kuqe që e mori djalin. Kush do të ndërhyjë në këtë rast? Kush ndërhyn do shkojë në polici të rrijë atje. I ndihmoi një grua.”, tha dëshmitarja.

Nga informacionet paraprake, mësohet se 14-vjeçari, M. C., është goditur me thikë në zemër dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Ndërsa 14-vjeçari tjetër i përfshirë në sherr, L. M., ka marrë plagë në gjoks teksa ndodhet në gjendje të stabilizuar. Gjithashtu mësohet se dhe një tjetër adoleshent është transportuar në një spital privat, i cili dyshohet si autori i ngjarjes.

Ngjarja ka ndoshur pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Të dhënat paraprake tregojnë se sherri nisi fillimisht me grushta, më pas ka agravuar në përdorimin e thikës. Dyshohet se konflikti ka nisur në rrjetet sociale dhe më pas ka ndodhur edhe përleshja fizike mes tyre.