Sfidë dramatike mes Egnatias dhe Elbasanit, VAR-i i jep dy penallti Egnatias

Egnatia e vendit të parë dhe Elbasani i vendit të dytë kanë ndarë pikët në duelin mes tyre në Rrogozhinë, në fund të një sfidë dramatike, shumë të tensionuar, që është mbyllur me shifrat 2-2.

Vendasit dominuan në lojë, duke krijuar rastet më të pastra, por ishin miqtë ata të cilët shënuan me gjuajtjen e parë në portë, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh. E njëjta tablo u përsërit në të dytën, kur Elbasanit me një kundërzbritje të shpejtë dyfishoi shifrat e la të mendohej se mund të siguronte fitoren.

Por Egnatia nuk ndali sulmet dhe falë ndihmës së VAR-it, ia doli të siguronte penallti për prekje të dukshme topi me dorë, pasi fillimisht gjyqtari nuk i kishte akorduar të tilla, por duke ndryshuar mendje shpejt pasi shihte për pak sekonda pamjet në ekran.

Egnatia tentoi edhe të gjente golin e përmbysjes, duke shpërdoruar mundësi të mira për të shënuar në fund të ndeshjes dhe u desh të kënaqej me një pikë përballë rivalëve direkt.