Seanca maratonë/ Kuvendi rrëzon ngritjen e komisionit hetimor për ARRSH-në dhe AKSHI-n

Kuvendi ka rrëzuar këtë të enjte, në seancë maratonë, kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për AKSHI-n dhe ARRSH.

Me 75 vota kundër dhe 28 pro, Parlamenti ka refuzuar kërkesën e grupit PL-PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Në bazë të projektvendimit të propozuar, komisioni do të kishte për detyrë të kontrollonte ligjshmërinë e veprimeve të ARRSH-së në realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore.

Ndërkohë, është rrëzuar po ashtu kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me 76 vota kundër dhe 28 pro.

PD-ja kishte dorëzuar kërkesën me 40 firma të deputetëve opozitarë, duke kërkuar hetimin e veprimeve të këtij institucioni, pas skandaleve dhe marrjes nën hetim të drejtuesve të lartë të këtij institucioni.

Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave me 76 vota pro.