Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, është një nga futbollistët që ka shkëlqyer me kuqezinjtë gjatë fushatës kualifikuese të Botërorit 2026.
Paraqitjet e tij mbresëlënëse me fanelën kuqezi ka lënë gjurmë dhe ka marrë vlerësimin e merituar në arenën ndërkombëtare.
Platforma e njohur e statistikave “SofaScore” e ka përfshirë mbrojtësin kuqezi Mario Mitajn në formacionin ideal të kualifikueseve për zonën e Europës, duke e renditur si mbrojtësin më të mirë të majtë të këtij cikli.
Ai gjendet në një 11-shen elitare, ku bëjnë pjesë yje nga Franca, Portugalia, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Anglia. Mitaj është vlerësuar me notën mesatare 7.62 për ndeshjet e luajtura për këtë fushatë kualifikuese.
Ai luajti në 6 nga 8 ndeshjet e kuqezinjve, duke munguar vetëm në duelet ndaj Anglisë. Në të parën për shkak dëmtimi dhe në të dytën u la në tribunë për arsye kartonësh nga trajneri Sylvinho.
Në të gjitha ndeshjet ku ishte në fushë, Mario Mitaj ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare.














