Salianji: Kjo është dita ime e fundit në liri. Si do ta bëj fushatën për Elbasanin?

TIRANA- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për shtyp teksa pritet ekzekutimi i vendimit të caktuar ditën e djeshme për të nga gjykata e Apelit. Salianji tha kjo është dita e tij e fundit në liri. Ai u pyet nëse pas vendimit të djeshëm ka patur kontakt me ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, Salianji u përgjigj duke thënë se pavarësisht qëndimeve që kanë patur, është shprehur solidaritet.

“Pavarësisht se është dita e fundit e imja në liri kam mbledhur të gjitha provat për ti depozituar në SPAK. Ky është dënimi i parë në 34 vite, i një politikani për agjitacion dhe propagandë. Është një betejë e bërë në fjalë, pra nuk ka kallëzim. Kam pasur komunikim me të gjithë politikanë kryesor të opozitës.

Të gjithë kanë shprehur solidaritet, pavarësisht qëndrimeve që kemi pasur. Edhe deputetë që nuk janë zyrtarisht në PD kanë mbajtur qëndrim. Nuk kam parë njeri përveç këtej që nuk do komentonte vendimet e gjykatave, por kur i intereson i komenton”, tha Salianji.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u pyet për formën që do të përdorte nga burgu për të bërë fushatë, siç deklaroi ai dje. Për këtë Salianji tha se nuk është kjo forma ime e parapëlqyer e komunikimit përmes rrjeteve, letrave apo tv, por do ta bënte. Ai shtoi se beson se ky dënim politik ka motivuar shumë njerëz.

“Do ju thërras ju, do ju flas nga dritarja. Përtej shakasë ka mjete komunikimi, lejohen letrat nga burgu. Do gjej forma komunikimi. Izolimin tim e kanë bërë edhe për një arsye tjetër. Nuk është kjo forma ime e parapëlqyer e komunikimit përmes rrjeteve, letrave apo tv.

Në fushata unë takoj qytetarët, të jemi kudo me orë të gjata. Por besoj që ky dënim politik ka motivuar shumë shumë njerëz. E shoh edhe nga reagimet e qytetarëve. Ata do të motivohen dhe do të jenë një formë tjetër reagimi. Ju e dini që regjimet kur janë në kalbje bëjnë reagime të paimagjinueshme”, tha Salianji.