Në raportin vjetor të saj, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka renditur tipoligjitë e grupeve kriminale në vendin tonë që kryejnë vrasje dhe merren me trafikun e drogës.
Sipas SPAK, këto grupe përbëhen nga 15 deri në 25 anëtarë dhe sofistikimi i veprimeve të tyre ka sjellë shtrirje edhe më të gjerë në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.
Por gjatë vitit të kaluar, SPAK ka konstatuar edhe një rrugë të re të trafikut të drogës nga Lindja e Mesme, duke e përdorur Shqipërinë si tranzit për në tregjet e Bashkimit Evropian.
Përveç punonjësve të policisë e biznesmenëve të fuqishëm, tani në grupet kriminale po përfshihen edhe më tepër vajza e gra.
Sipas SPAK, këto vajza kanë funksione të rëndësishme brenda grupeve kriminale dhe merren me trafikun e narkotikëve, po ashtu edhe me administrimin e të ardhurave apo dhe me transferimin fizik të parave. Zakonisht femrat në grupet kriminale janë bashkëjetuese te krerëve të organizatës pasi konsiderohen si persona shumë të besueshëm prej tyre. Këtu përmendim këngëtaren Elvana Gjata e cila ka dalë në përgjimet SKY për grupin kriminal të Ervin Matës me të cilin ka qenë në lidhje.
Sa i përket dhunës, ajo është një veçori në zbehje, por mbetet një karakteristikë e grupeve me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare.Konflikt e tyre zakonisht janë për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale.













