Rriten importet e qumështit pluhur, ndërsa bie importi i qumështit të freskët – Konsumi i bulmetit vijon në rënie në Juglindje

TIRANË – Shqipëria ka shënuar një rritje të konsiderueshme të importeve të qumështit pluhur në muajt e parë të vitit 2025, ndërkohë që importet e qumështit të freskët kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave nga Doganat shqiptare, gjatë periudhës janar–prill 2025 janë importuar rreth 200 mijë kilogramë qumësht pluhur, me një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (174 mijë kg).

Megjithatë, kjo sasi mbetet dukshëm më e ulët krahasuar me kulmin e vitit 2021, kur importet arritën në 1.59 milionë kg.

Importet realizohen kryesisht nga kompani si SUPER MILK, AGS, AD SH-2014, ELKA-SA, ALTA GROUP, me produktet që vijnë nga vende si Holanda, Lituania, Franca, Gjermania, Suedia dhe Turqia.

Sipas Shoqatës së Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, përdorimi i qumështit pluhur në prodhimin e kosit, djathit apo gjizës është i ndaluar me ligj, përveçse nëse etiketohet qartë. Ligji shqiptar lejon përdorimin e qumështit pluhur vetëm në industri të veçanta si ato të akullores, bukës, çokollatës dhe ushqimeve për foshnje.

Konsumi i bulmetit nën presion në Juglindje – Çmimet mbeten të pandryshuara
Tendencat e konsumit të produkteve të bulmetit gjatë kësaj periudhe janë të luhatshme, me disa operatorë që raportojnë rënie të ndjeshme të kërkesës, sidomos në zonat juglindore të vendit.

Taulant Pupa, drejtues i kompanisë “Vita 2001” me fabrikë në fshatin Nizhavec, Qarku Korçë, thekson se ndonëse prodhimi i qumështit është në rritje, kërkesa për produkte bulmeti ka rënë ndjeshëm.

“Prodhimi i qumështit të lopës është në rritje, por kërkesa, veçanërisht nga sektori HoReCa (hotele, restorante, catering), ka rënë me 20–30% gjatë janar–mars 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,” – u shpreh z. Pupa.

Ai identifikon emigrimin e të rinjve nga zonat juglindore dhe konkurrencën nga produktet e importit me çmime më të ulëta si arsyet kryesore të kësaj rënieje.

Ndërkohë, Luis Ndreka, drejtues i kompanisë ADG (ish-“Lufra”), vëren se konsumi në qytetet kryesore të vendit ka qenë i qëndrueshëm ose në rritje, përveç Korçës dhe Pogradecit, ku kërkesa është ndikuar nga zhvendosja e popullsisë.

Nga një tjetër këndvështrim, Gerald Zyfi, përfaqësues i kompanisë “Zyfi Farm”, raporton një rritje prej 20% të konsumit, çka sipas tij lidhet me orientimin në rritje të konsumatorëve drejt produkteve të freskëta dhe vendase.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, operatorët konfirmojnë se çmimet e produkteve të bulmetit nuk kanë ndryshuar krahasuar me një vit më parë.