Lëndina Bylyku një zonjë që simbolizon urtësinë dhe qetësinë tregon me detaje si festohej dikur Dita e Verës.
“Mbaj mend nënën time që gatuante ballokume e revani. Në Ditën e Verës çohej herët në mëngjes, mblidhte bar të njomë rit dhe e vendoste në mesin e shtëpisë, rit ky që e bënte çdo vit”- thotë ajo.
Ky rit simbolizon ardhjen e pranverës dhe lulëzimin pas një dimri të egër.
Në vazhdim Lëndina na tregon se si mamaja e saj u lante sytë me ujin e vezëve që ziente atë mëngjes, rit që shpreh dëshirën e saj për t’i parë fëmijët të bardhë si veza. Po kështu ajo i ledhatonte me petalet e trëndafilit që të rriteshin të bukur e të shëndetshëm si trëndafili.
Është e mrekullueshme se si çdo ritual ka një shpjegim interesat nga pas.
Lëndina kujton me nostalgji si shkëmbenin ballokume, vezë e karamele familjet mes njëra-tjetrës.
“Nënat tona kishin qef që në mëngjes të futej në shtëpi një fëmijë në fillim”- kujton Lëndina.
Ajo kujton edhe piknikun e famshëm tek Teqja e Madhe apo Rrapi I Manzit ku të gjithë shtronin batanijet, shkëmbenin ushqimet dhe gëzonin e luanin pa dallim.
“Babai im u çonte gjel pule dhe ushqime familjeve të varfra. Ndërkohë Kama shpërndahej te të gjithë të afërmit. Ishin fëmijët që lëviznin për të bërë kamë. Ne shkonim te daja ku merrnim nga ballakumet, arrat, fruta të ndryshme. Ishte një festë e të gjithëve”.
