Rikthehet pas 50 vjetësh malaria në Itali

Është zbuluar në Verona të Italisë një rast autokton i malaries. Kjo është bërë e ditur nga Drejtoria e Parandalimit të Rajonit, e cila ka dhënë udhëzime për këtë çështje, duke aktivizuar masat e planifikuara të vëzhgimit.

Sipas autoriteteve lokale, pacienti është një “person pa histori të udhëtimeve të fundit në vendet ku sëmundja është endemike”.

Për rastin specifik të Plasmodium vivax është organizuar një hetim epidemiologjik i thelluar që përfshin; një studim në terren për kapjen dhe analizën e vektorit lokal, masat e mbikëqyrjes shëndetësore që synojnë subjektet e tjera në vendet e ekspozimit të mundshëm dhe aktivitetet parandaluese të dezinfektimit në zonë që do të kryhen në bazë të rezultateve të kontrolleve të kryera.

Malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, pështymës ose marrëdhënieve seksuale, por ekskluzivisht përmes kontaktit me gjak të infektuar ose pickimin e mushkonjave të infektuara me një parazit (Plasmodium).

Sëmundja manifestohet me ethe, të dridhura intensive, djersitje, dhimbje koke, nauze, të vjella, dhimbje muskulore. Është një sëmundje e trajtueshme dhe mund të kurohet në mënyrë efektive nëse diagnostikohet dhe trajtohet menjëherë, duke reduktuar kështu rrezikun e komplikimeve serioze.

Rastet e fundit të malaries Plasmodium vivax u vunë re në Siçili në fillim të viteve 1960. Në Itali, malaria u eliminua zyrtarisht në vitet 1970 falë fushatave të rehabilitimit dhe kontrollit të mushkonjave, si dhe përdorimit të barnave specifike.