Një rast i rëndë nga SHBA ka rikthyer debatin mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në vendimmarrje mjekësore, pasi një 78-vjeçar humbi jetën nga leuçemia limfatike kronike, pasi kishte refuzuar trajtimin e rekomanduar nga mjekët.
Sipas dëshmisë së familjes, i moshuari kishte përdorur një platformë të inteligjencës artificiale për të kërkuar informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe ishte bindur se vuante nga një formë shumë e rrallë e sëmundjes, duke besuar se trajtimi standard mund ta përkeqësonte situatën.
Edhe pse mjekët onkologë i kishin rekomanduar fillimin e terapisë për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes, ai refuzoi trajtimin për një periudhë të gjatë. Më vonë u konstatua se diagnoza e supozuar nuk përputhej me analizat mjekësore.
Gjendja e tij u përkeqësua gradualisht dhe trajtimi u nis vetëm në fazë të avancuar, kur organizmi ishte tashmë i dobësuar.
Familjarët theksojnë se informacionet e marra nga sistemi i inteligjencës artificiale përmbanin interpretime të pasakta, të cilat ndikuan në vendimin e pacientit.
Rasti ka nxitur reagime nga ekspertët e shëndetësisë, të cilët paralajmërojnë se përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale për diagnoza apo vendime mjekësore, pa konsultë profesionale, mund të sjellë pasoja serioze për jetën.













