Bashkëkryetari i reformës territoriale, Arbjan Mazniku, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave, ka prezantuar 4 variante të hartës territoriale që janë në diskutime.
Versionet janë nga shkrirja e bashkive të vogla me ato të mëdha, te ruajtja e atyre ekzistuese e deri te konsolidimi i bashkive të vogla.
Asnjë nga variantet nuk u prezantua si zgjedhja përfundimtare. Por, sipas Maznikut, procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore.
Mbi tre orë raportim në mbledhjen me dyer të mbyllura, Drejtoresha e Kadastrës para Ramës dhe grupit të PS: Brenda 2027 do kemi regjistër të plotë të titujve të pronësisë
Variantet :
Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues. Rreziku: mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.
Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse. Rreziku: konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.
Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian. Rreziku: kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.
Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore. Rreziku: tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.













