“Ramën e refuzuan në Konferencën e Mynihut”/ Berisha: Kjo është dëshmi se ai është në rrethin e kuq

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha theksoi zhvillimet dramatike të javës për qeverinë aktuale, duke akuzuar Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale për paaftësi dhe mungesë denjësie. Në një deklaratë në Facebook, Berisha nënvizoi anulimin e pjesëmarrjes së Ramës në konferencën e rëndësishme për sigurinë në Mynih, duke e cilësuar këtë si një mbështetje simbolike për qytetarët dhe Shqipërinë.

Berisha theksoi se fatet e vendit dhe të familjeve shqiptare duhet të jenë në dorën e qytetarëve dhe bëri thirrje për vazhdimin e kryengritjes paqësore me siguri dhe vendosmëri drejt fitores.

“Por java pati edhe një zhvillim tjetër dramatik për organizatën kriminale me në krye Edi Ramën dhe vetë Edi Ramën. U anulua shkuarja e tij në Mynih. Mynihu është konferenca më e rëndësishme vjetore në botë që zhvillohet për sigurinë. Në Mynih diskutohen çështjet më madhore të sigurisë në Europë dhe në botë. Edi Rama nuk ishte i denjë për atë konferencë.

E vërteta është se delegacionin e nisi, por vetë nuk shkoi sot, i mbeti Dashi në dorë. Dash Sulën e kam fjalën. Nuk shkoi sot. Dhe kjo ishte një mbështetje e madhe për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë. Kjo ishte, edhe njëherë dëshmi e një rrethi të kuq nga i cili Edi Rama nuk del dot kurrë. Të dashur miq, fatet e Shqipërisë, të familjeve tona, të fëmijëve tanë, duhet dhe do të jenë në duart tona. Ndaj dhe të vazhdojmë ne kryengritjen tonë paqësore, të sigurt se ecim drejt fitores,” tha Berisha.