Rama reagon ashpër për Prokurorinë e Hagës: Nxorri një mal me m*t

Pretenca e Prokurorisë Speciale në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkoi 180 vjet burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ka sjellë reagimin e ashpër të kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se nuk kupton ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me këtë kërkesë.

Gjuha e Ramës bëhet akoma më e ashpër ku thekson se ajo që nxorri sot prokuroria ishte “një mal me m*t”.

“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me m*t që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike”, tha Rama.