Rama propozon ndryshime në Kushtetutë: Kuvendi me 101 deputetë

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ditën e sotme ndërhyrjen në Kushtetutë. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, Rama deklaroi se duhet një ndarje e re e Kuvendit dhe me deputetë më pak. Sipas Ramës, numri i deputetëve në Kuvend duhet të jetë 101 deputetë, duke e cilësuar këtë edhe më efektive.

“Elisa, Niko, Taulanti bashkë me Majlindën, Adean kishin detyrën e hartimit të një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare, në funksion të procesit të integrimit. Kanë studiuar skemat dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit me strukturën e procesit të negociatave. Dua të mbroj disa mendime që janë diskutuar gjatë këtij procesi.

Në më shumë se tre dekada nga zgjedhjet e para pluraliste, na duhet një cikël i reformimi dhe riorganizimi për disa institucione ndër to edhe për Kuvendin e Shqipërisë. E para gjë, që gjen dakord cdo shqiptar është tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve në të paktën se në 101 deputetë do të kishte vetëm impakt pozitiv. Ndaj ky ndryshim kushtetues duhet të jetë objektiv i yni. Kuvendi miraton ligje për të gjithë, por nuk e ka ligjin e vet, nuk ka pavarësi financiare, status për deputetët. Madje është pa shtëpi, nuk ka një shtëpi. Ligji organik për Kuvendin duhet të jetë objektiv,” tha Rama.