Rama me gazetarët në konferencën e fundvitit flet për rritjen e pagave dhe pensioneve, arsimin, shëndetësinë, ushtrinë e gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë

“Dua të them që gjithë këto investime mbështesin, përmirësimin domethënës të kushteve të punës të mjekëve dhe infermierëve. Më vjen shumë mirë që ka një rënie kuptimplotë të tendencës së ikes së mjekëve dhe të vajtjes jashtë shtetit. Tendenca ka filluar të kthejë. Kjo është shumë pozitive,” tha Rama.

Rama flet për spitalet, por nuk përmend Onkologjikun: Po zbatohet autonomia menaxheriale, parashikohet rritje pagash për mjekët

“Autonomia financiare e spitaleve tona. Në 12 spitale rajonale po zbatohet autonomia menaxheriale. Janë në proces edhe 4 spitale të reja. Ndryshim epokal për shërbimin tonë shëndetësor. Kemi hedhur hap në rritjen e kapacitetet për pacientët me sëmundje tumorale. Është tendencë botërore, ka një rritje agresive të kancerit në përgjithësi. Kemi vendosur një fond të posaçëm, 15 milionë euro si fillim. Kemi filluar për krijimin e institutit të tumoreve në Shqipëri, dhe rijetëzimin e spitaleve, për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Janë një sërë programesh të reja falas që futen në proces.Dua të them që ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë. Do të njihet edhe vjetërsia në punë, e mjekëve dhe infermierëve, do rritet edhe shpërblimi i tyre. Në tërësi, parashikohet që pagat për mjekët, mesatarja, të rritet me 135 euro në muaj. Kantieri i shëndetësisë është aktiv. Po përfundohet materniteti “Geraldine”, është rindërtuar Spitali Rjonal i Lezhës. Kardiokirurgjia në QSUT, Shtëpia e të Moshuarve në Libovë. Janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT, që pritet të përfundojë në shtatorin e ardhshëm. a filluar rindërtimi i spitalit të djegie plastikës, ndërtimi i disa godinave të eja në Elabsan, Berat. Rindërtimi i dy marteniteteve në Vlorë dhe Fier. Dua të them që gjithë këto investime mbështesin, përmirësimin domethënës të kushteve të punës të mjekëve dhe infermierëve. Tendenca ka filluar të kthejë,” tha Rama.

Sektori i Arsimit/ Rama: Po punojmë për 1 mijë laboratorë inteligjentë, ka nisur projekti i transportit për nxënësit

TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, e cilësoi arsimin si një sektor që kanë bërë hapa të rëndësishëm. Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi teknologjinë si një investimet të rëndësishme dhe shtoi se nga viti që vjen, do të mundësojnë edhe mjetet e para të prodhuara në Shqipëri që do të vihen në dispozicion për transportin e mësuesve dhe nxënësve.

Kryeministri përmendi edhe kurrikulat e reja që sipas tij i përshtaten kohës, duke iu referuar teknologjisë. Në fund, Rama nënvizoi se po vijojnë me procesin e ndërkombëtarizimit në arsimit të lartë dhe përmendi rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe bashkëpunimin me BOKU-n e Vjenës.

“Dy fjalë, lidhur me arsimin. Më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim. Duke nisur nga fuqizimi i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënesve. Ka shkuar në 350 numri laboratorëve inteligjentë. Do punohet për të patur 1000 brenda vitit 2027. Që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe ndënësit. Ndërkohë ka vijuar ndërtimi infrastrukturës arsimore.

Ka nisur projekti i transportit, besojmë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm arsimor do të futen në të gjithë sistemin. Është nënshkruar marrëveshja për smart city. Projekti francëz në Korcë, ka avancuar pozitivisht është bërë gati struktura dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Ndërkohë është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla. 839 është numri i punonjësve sociale, mekanizëm për komunik të drejtpërdrejtë mësues nxënës.

Ka nisur rishikimi i kurikulave. Klasat I, VI dhe X nisin me kurikul të re vitin e ardhëm. Në arsimin e lartë janë bërë investime që vijojnë. Ka përfunduar faza e parë për studiot që do marrin pjesë në konkursin për universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, janë 40 kompani që kanë shprehur interes. Vijon transformimi i Bujqësorit në Tiranë, për diploma te njehsuara me Universitetin e Bokut. Janë 252 projekte, ku numrin më të madh e ka Universiteti i Tiranës. Jemi në një fazë të re edhe për reformën në shërbimin shëndetësor dhe përsimin e menaxhimit të spitaleve,” tha Rama.

“Kemi krijuar shoqërinë ALB TRACE”/ Rama: Në 2026 çdo biznes duhet të ketë shërbimin për pagesa elektronike

TIRANË- Kreyministri Edi Rama theksoi se në 2026 çdo biznes duhet të ketë shërbimin për pagesa elektronike dhe sipas tij, krijimi i shoqërisë ALB TRACE është një risi në jetën e vendit falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara. Gjatë fjalës së tij në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se është hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe sipas tij, janë vendosur disa limite si fillim.

“Kemi krijuar shoqërinë ALB TRACE, që është një risi në jetën e vendit falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara, duke siguruar që Shqipëria të prodhojë pullat fiskale në vend, të markojë karburantet në vend dhe të ofrojë disa shërbime. Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim. Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës. Që vendas apo vizitorë të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike”, tha Rama.

“Jemi lider në funskionimin e administratës publike”/ Rama sulmon mediat: Jemi në kundërtendencë me çfarë ziejnë tenxheret

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se qeveria është lider në fuksionimin e administratës publike. Në konferencën e fundvitit, Rama tha për mediat se arsimi profesional është i lartë dhe se këtë vit, 63% të të punësuarve janë nxënësit që kryejnë arsim profesional.

Sipas tij, Shqipëria vijon të konsiderohet udhëheqëse në mirëfuksionimin e administratës publike dhe akuzon mediat duke thënë se është e kundërta e asaj që raportohet në media, “Kjo është në kudërtendencë me atë se çfarë ziejnë 70 tenxheret politike dhe mediatike.” tha ai.

“Interesi për arsimin profesional është i lartë. Kemi pasur 63% të të punësuarve nga nxënësit që kryejnë arsim profesional. Nga Doganat kanë ardhur 620 mld lekë të ardhura për shtetin. Janë miratuar disa politika të reja qoftë përsa i përket paketës fiskale, sa i përket paqes fiskale.

Edhe sipas vlerësimit të SIGMËS që është institucion që bën llogaritë, Shqipëria konsiderohet vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike. Kjo është në kudërtendencë me atë se çfarë ziejnë 70 tenxheret politike dhe mediatike. Por nuk besoj se Sigma ka lidhje me PS dhe qeverinë shqiptare. Shqipëria për një kohë të gjatë ka qenë e varur nga koncesione të vjetra, që të prodhojë pulla fiskale dhe të markojë karburante.”, tha ai.

Rama flet për ekonominë: Do kemi rritje page minimale, rritje dhe pensionesh vit pas viti

TIRANË- Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët u ndal edhe te rritja e pagës minimale dhe rritja e pensioneve vit pas viti, Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro. Rama nënvizoi se me hyrjen e vitit të ri nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti. Sipas tij, pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj.

“Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro. Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti.

Duke filluar nga janari pensionet do rriten përtej indeksimit. Rritja që ne do të bëjmë do të jetë domethënëse vit pas viti. Kështu pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Do të dyfishohet në janarin 2027, trefishohet në janarin e 2028, katërfishohet në janarin e 2029 e kështu me radhë, Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj, pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj,” tha Rama.

Sektori i Ekonomisë, Rama: E mbyllim vitin me rritje, bizneset janë shtuar me 20%

TIRANË- Kreyministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët foli për një rritje ekonomike pozitive. Rama theksoi se bizneset e reja janë shtuar me 20 përqind, investimet e huaja, në tremujorin e tretë kanë pasur rritje 10 përqind, stoku i investimeve të huaja është domethënëse dhe më i lart, mbi 10 përqind krahasuar me vitin e mëparshëm.

Ai u ndal edhe tek rritja e pagave dhe pensioneve, ku theksoi se në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro. Gjatë fjalës së tij, kryeministri nënvizoi se rritja e pensioneve që nis në janar është përtej indeksimit.

Sipas tij pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj nga janari i 2026 dhe keshtu do te vazhdojë te dyfishohet, trefishohet, katërfishohet vit pas viti.

“Me të dhëna shumë pozitive dhe inkurajuese, parashikohet të mbyllet me një rritje ekonomike pothuaj 3.9 përqind, thuajse 4 përqind. Thuajse më e larta në këtë pellg ku ndodhemi në kontinentin tonë. Bizneset e reja janë shtuar me 20 përqind, investimet e huaja, në tremujorin e tretë kanë pasur rritje 10 përqind, stoku i investimeve të huaja është domethënëse dhe më i lart, mbi 10 përqind krahasuar me vitin e mëparshëm.

Paga mesatare ka rezultuar 833 euro, rritje domethënëse. Kemi pak ditë të hyrjes në fuqi të rritjes së pagës minimale në 500 euro. Kontributet për këta punonjës, për 9 muaj do të paguhen nga punonjësit. Nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i radhës i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri, nis edhe rritja e vazhdueshme e pensioneve. Kjo është e gjitha e parashikuar në planet financiare të qeverisë. Nga janari, pensionet do të rriten përtej indeksimit. Indeksimi nuk është rritje e pensionit, por mekanizëm që lidhet me çmimet. Rritja që do të bëjmë do të jetë domethënëse vit pas viti.

Kemi të dhëna edhe në arsimin profesional, ku kemi arritur në afro 20 përqind të arsimit të mesëm, duke shënuar rezultat të ri pozitiv. Punësueshmëria e nxënësve të arsimit profesional është hsumë e lartë. Në 2024, kemi pasur 63 përqind të të punësuarve. Buxheti për arsimin profesional është rritur ndjeshëm dhe do të rritet në vitin e ardhshëm. Reforma e strehimit social, për të hapur epokë krejt të re, për të rritur numrin e përfituesve. Sa i përket borxhit, kemi vazhduar të kemi ulje të borxhit, edhe këtë vit borxhi ulet,” tha Rama.

Konferenca e fundvitit, Rama me gazetarët: Shqipëria e renditur në vendin e 39 nga Instituti Amerikan Cato

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka përmendur raportin e Institutit Amerikan Cato për Shqipërinë, ku vendi renditet në numrin 39 në rang global sa i përket lirisë ekonimike dhe e 9-ta sa i përket Evropës Lindore. Në konferencën e fundvitit, Kryeministri përmendi se sipas raportit të Institutit amerikan Cato, Shqipëria ka një pozicion inkurajues për lirinë ekonomike dhe njerëzore dhe nënvizoi se renditemi më mirë. Sipas Kryeministrit, me këtë renditje, vendi ynë kalon edhe vende të tjera si Polonia, Greqia, Hungaria etj.

“Instituti Amerikan Cato, që publikon edhe atë që quhet indeksi i indekseve lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike. Shqipëria ka pozicion shumë inkurajues, është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe e 9-ta në gjithë pjesën e Evropës lindore. Kështu e kanë të ndarë raportin. Ku sa i përket lirisë ekonomike renditet para vendeve si Polonia, Bullgaria, Greqia e Hungaria dhe po ashtu për lirinë njerëzore. Për lirinë ekonomike në pozicion më të mirë se dy apo tre vende përpara saj. Është një pasqyrë pozitive, por shfrytezova rastin për ta ndarë me ju si një lajm të mirë nga shumë të mira për Shqipërinë që sic e thashë nuk bëjnë lajm”, tha Rama.