Rama kundër kërkesave për pamje filmike nga të vetët: “Mos ushqeni qeverinë mediatike, po humbisni fytyrën”

Tiranë, 19 maj 2025 – Mbi 15 kandidatë nga forca të ndryshme politike, përfshirë disa nga Partia Socialiste, i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesë për të marrë pamjet filmike të procesit të numërimit të votave preferenciale.

Mes emrave që kanë kërkuar qasje në këto materiale janë Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Frrok Gjini dhe Xhemal Qefalia. Por kjo lëvizje ka sjellë një reagim të ashpër nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili u ka kërkuar kandidatëve të ndalin këtë iniciativë.

Duke folur në një komunikim të brendshëm, Rama e konsideroi të panevojshme kërkesën për pamje filmike, duke argumentuar se procesi i numërimit është zhvilluar nën një mbikëqyrje të rreptë dhe se nuk ka hapësirë për devijime votash.

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi se një garë e humbur nuk duhet të bëhet arsye për të humbur dinjitetin, duke hedhur gjithashtu dyshime për efektshmërinë e kësaj kërkese:

“Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.”

Rama paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë edhe figurën e komisionerëve dhe mbështetësve të PS-së:

“Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.”

Në përmbyllje, kreu i qeverisë i paralajmëroi të tijët që një hetim i tillë mund të përfundojë pa rezultate dhe t’u japë vetëm ushqim kritikëve të medias:

“E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”