TIRANË – Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar publikisht ndjesë Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, pas reagimit të saj për deklaratat e sulmet e bëra ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual. Debati u ndez pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila u cilësua si diskriminuese dhe e papranueshme nga zyrtarë të BE-së.
Në një postim në platformën “X”, Rama rishpërndau mesazhin e komisioneres Kos dhe kërkoi falje për keqpërdorimin politik të një ligji që, sipas tij, është “fisnik dhe në përputhje të plotë me parimet e Bashkimit Europian për barazi gjinore dhe mosdiskriminim”.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët,” shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj vlerave europiane, duke theksuar se sulmet personale nuk reflektojnë qëndrimin institucional të vendit. “Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara,” theksoi ai, duke nënkuptuar se proceset dhe prioritetet shtetërore nuk ndalen nga retorika politike.
Reagimi i Ramës vjen në një moment të ndjeshëm të marrëdhënieve me BE-në, teksa Shqipëria vijon negociatat dhe reformimet në kuadër të procesit të integrimit europian.













