Rama: Debatuam me ndërkombëtarët për mandatin e Ballukut, por vendimin e marr për interesin e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave lidhur me vendimin për mandatin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se ai përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë. Rama reagoi gjatë një konference për shtyp, ku komentoi edhe pretendimet se ky vendim mund të ndikojë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

Sipas tij, reagimet e një dite më parë kanë qenë të deformuara dhe të pabazuara. Kryeministri theksoi se kërkesa e Prokurorisë për mandatin e Ballukut nuk plotësonte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë nga Parlamenti.

Rama pranoi se për këtë çështje ka pasur diskutime me partnerët ndërkombëtarë, por theksoi se përgjegjësia e tij është para qytetarëve shqiptarë.

“Kemi pasur debat me ndërkombëtarët për mandatin e Ballukut, por unë kontratën e kam me shqiptarët. Në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy dhe të më shohin në sy në të njëjtën lartësi”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se diskutimet me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë konstruktive dhe se nuk ka pasur tensione apo situata të ngjashme me ato që janë raportuar publikisht.

“Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së apo do të pengojë reformën në drejtësi është një përpjekje e shëmtuar”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu se në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë duhet të ruhet respekti i ndërsjellë dhe barazia në komunikim, duke shtuar se nuk pranon të shohë askënd “nga lart-poshtë” dhe as të trajtohet në të njëjtën mënyrë.