Denoncimi/Qytetari bën 8 muaj burg kot kur ishte viktima

Skënder Arapi në vitin 2014 tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se ishte duke pirë diçka me një shokun e tij në një lokal në Kombinat, kur u dhunua nga një polic civil. Si për çudi, Skënderi u akuzua sikur ishte ai që e dhunoi policin dhe u arrestua.

Skënder Arapi: Në 2014-ën bashkë me një shokun tim u futëm në klub duke pirë një shishe birrë. Pasi ishim kthyer dhe nga puna…Më pas na vjen një punonjës policie i dehur dhe i drejtohet pronarit të lokalit dhe i thotë “nxirri jashtë ato”.

Gazetari i “Stop”: Po pse kishit ndonjë konflikt? E njihnit këtë efektiv policie i cili thoni ka qenë i dehur në ato momente?

Skënder Arapi: Dhe i thotë pronari i lokalit “pse t’i nxjerr jashtë”, se “dua unë” i thotë. Atëherë u detyrua ai, erdhi në tavolinë dhe tha “dilni jashtë”. Kush je ti i thashë unë, “kush jam unë”, më ra me kokë, më gjakosi. Pasi më pa të gjakosur, ky iku me vrap. I gjakosur siç isha, më tha ky shoku lahu, pse të lahem i thashë unë. Ore kjo është provë i thashë unë. Erdhën ca policë të tjerë, civilë edhe ata me një makinë private, ku je gjakos më thanë mua. Hajde thanë në polici, kush të ka ra, një burrë i thashë unë në lokal. Na bien një shef a ku di unë ça ishte, më tha “keni rraf punonjësin e policisë”. O zotëri i thashë unë…

Gazetari i “Stop”: Pse u dëmtua dhe polici që të ra ty në kokë?

Skënder Arapi: Nuk e di…Ai ka ik pas goditjes, s’dimë gjë. I thashë polici na goditi ne. Qëndrova një natë atje, deri në arrest.

Gazetari i “Stop”: Ju keni bërë burg për këtë ngjarje, keni qenë le të themi për qejfin tuaj në një lokal pas punës, vjen dikush që ju godet, del që është polic dhe ju bëni burg. Pse?

Skënder Arapi: Sepse policia do të mbrojë punonjësin e tij, pa asnjë provë e fakt dhe na bëhet arrestimi.

Ndëshkimi i Skënderit u shoqërua me probleme dhe shkelje proceduriale, pasi nuk kishte asnjë provë për dhunën e tij, por provohej e kundërta. Tre shkallët e gjyqësorit i dhanë të drejtë Skënder Arapit, i cili hapi një proces për dëmshpërblimin e ditëve të burgut, në total 8 muaj izolim të padrejtë.

Skënderit iu deshën 9 vjet, që t’i njihet dëshmpërblimi nga Apeli Administrativ, institucion që dhe ia përgjysmoi shumën.