Qindra besimtarë katolikë kremtojnë “Udhën e Kryqit”

Në vigjilje të Pashkës Katolike, qindra besimtarë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për të kremtuar një nga ritet më domethënëse të besimit të krishterë, “Udhën e Kryqit”.

Ceremonia përkujtoi 14 ndalesat simbolike që pasqyrojnë vuajtjet dhe sakrificën e Jezu Krishtit drejt kryqëzimit, ndërsa besimtarët ndoqën ritualin me përkushtim dhe reflektim.

Riti u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, i cili në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e reflektimit të brendshëm, solidaritetit dhe afrimit mes njerëzve, veçanërisht në një ditë të shenjtë si E Premtja e Madhe.

Gjatë fjalës së tij, Imzot Dodaj ndau edhe një mesazh të fortë lidhur me sistemin e drejtësisë, duke theksuar se ndëshkimi i tepruar nuk është zgjidhje.

“Mos të kushtëzohemi nga zhurmat apo nga gjëra të tjera, sepse Zoti është me ne. Tek Ai lëmë çdo dhimbje e vuajtje. I besojmë Zotit familjet në vështirësi, të rinjtë që ndihen të bullizuar, të paragjykuar dhe të shkurajuar, si dhe ata që në mënyrë të tepruar ndodhen në burgje. Nuk mund të mendohet se burgu është çelësi i çdo zgjidhjeje. Një drejtësi represive, pa përgjigje, e mbyt të ardhmen dhe krijon frikë”, u shpreh ai.

Në këtë ceremoni, lutjet e besimtarëve u përqendruan në paqen, dashurinë dhe solidaritetin mes njerëzve.

“Udha e Kryqit” zhvillohet dy ditë para Pashkës dhe mbetet një moment i rëndësishëm reflektimi për besimtarët. Tradita vijon edhe të shtunën, kur familjet besimtare ndjekin ritin e bekimit të ushqimeve simbolike, si buka, vezët dhe djathi, të cilat më pas ndahen në tryezën e Pashkës në një atmosferë gëzimi dhe shprese.