“Qeverisë s’i plas fare për qytetarët”/ Florjan Binaj: Protestat janë kthyer në formën e pellgut!

TIRANË- Aktori Florjan Binaj, i cili ishte edhe kandidati i zgjedhjeve të parakohshme të Tiranës që nuk u mbajtën, ka deklaruar se qeverisë nuk i plas për qytetarët. I ftuar në News24, Binaj tha se çdo skandal dhe dështim të saj, qeveria po ia faturon shqiptarëve, të cilët i interesojnë vetëm për votën. Lidhur me protestat, Binaj tha se është për të ardhur keq që po marrin gjithmonë e më shumë formën e pellgut dhe nuk janë më ai oaz ku shkëmbeheshin ide e veprime dhe ku thuhej çfarë do bëhej më tej.

“Kam nostalgji për protestat. Por më vjen keq që po marrin gjithmonë e më shumë formën e pellgut dhe nuk janë më ai oaz ku shkëmbeheshin ide e veprime, ku thuhej çfarë do bëhej më tej. Ka mbetur vetëm të bësh meme, statuse, profile apo “sherre” (shpërndarje, lojë fjalësh). Ose kanë mbetur profile me emra të tjerë për të thënë atë që mendojnë se këtu dënohet vërejtja, kritika, sepse këtu është vrarë vlera dhe rëndësia e vlerës dhe kështu në këtë shoqëri mbizotëron kaosi. Madje njerëzit kanë frikë të flasin edhe me veten e tyre se mos i spiunon vetja e tyre

Ky sistem politik që qeveris vendin, e ka të pamundur të qeverisë nëse nuk ia heq rëndësinë njerëzve të rëndësishëm dhe t’ia japë njerëzve të parëndësishëm. Marrin përsipër e kur bëjnë gabimet dhe e bëjnë atë mullar shkojnë te njerëzit e përgjegjshëm dhe kërkojnë zgjidhje. Por edhe ne jemi bashkëfajtor në këtë mes. Kemi heshtur dhe heshtja është në formë pranim, kemi dalë nëpër kafe ku janë të gjithë heronj dhe sa dalin nga kafja u thuaj hajde, dhe…”, tha aktori.

Binaj veçoi tre protestat që mbahen mend, që sipas tij janë: “Protesta e studentëve, armët kimike dhe ajo e çmimeve”. Binaj nënvizoi më tej, se qeveria nuk mendon aspak se si ia dalin shqiptarët me vështirësitë ekonomike.

“Marrim rastin me Bordin e Transparencës dhe çmimeve. Por kësaj qeverie nuk i plas fare nëse ia dalin apo jo njerëzit, por i do vetëm për t’i mjelur dhe për votat. Tipike e njerëzve të pasuksesshëm, që thotë dështimi është i juaji dhe suksesi i imi. Kur ministri vjedh e paguan qytetari, kur qeveria vjedh e paguan qytetari, të gjitha dëmet që bëhen i paguan qytetari, a ka paguar qeveria ndonjëherë? Brezat tanë e të ardhshëm po lindin me borxhe. Politika e kësaj qeverie, duhet ta abuzosh aq shumë një gjitar sa ta bësh të mos riprodhohet. Mendoni ku ka arritur me qytetarët shqiptarë, që të mos pranojë rinia të riprodhohet. Protestat kanë kuptim në një vend ku nuk hiqesh nga puna apo të shkarkohesh sepse more pjesë në atë protestë apo ke mendim ndryshe, apo se një parcelë e kësaj Shqipërie të jetë e dikujt tjetër me mendjen e lirë. Ne shkelim mbi pllaka çudie kështu është bërë kjo Shqipëria jonë, e ndonjë ditë ajo pllakë çudie mund të thyhet dhe të dalë një tjetër pllakë çudie”, tha Binaj