Qeveria shqiptare ka shpallur zyrtarisht një tender të ri për menaxhimin e mbetjeve urbane në Fier dhe Elbasan, duke nënkuptuar braktisjen e përfundimtare të projektit të inceneratorëve në këto qytete.
Tenderi, me fond limit prej 660 mijë eurosh, është shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe ka si objekt projektimin e “Infrastrukturës së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve” për këto dy zona.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania fituese do të ketë për detyrë të projektojë zgjerimin e landfilleve ekzistuese, si edhe ndërtimin e landfilleve të reja, impianteve të mbetjeve inerte dhe të rikuperimit të materialeve. Këto ndërhyrje janë të nevojshme pasi landfillet aktuale u projektuan me kapacitete të kufizuara, në bazë të parashikimit se mbetjet do të digjeshin në inceneratorë e impiante që nuk arritën të vihen kurrë në funksionim.

Në total, për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit janë shpenzuar rreth 60 milionë euro nga fondet publike, megjithatë asnjë prej tyre nuk ka operuar asnjë ditë. Me projektin e ri, qeveria parashikon të ndërtojë infrastrukturë alternative për trajtimin e mbetjeve, çka nënkupton një kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe për qytetarët.
        












