Tiranë, 15 Janar 2026 – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar situatën brenda PD-së dhe nevojën për ripërtëritje dhe ndryshim. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji u shpreh se brenda partisë ekzistojnë dy qëndrime të ndryshme: njëri mendon se situata është e mirë, ndërsa ai konsideron se gjendja është e keqe.
“Duket se ekzistojnë dy mendime të ndryshme: lidershipi thotë jemi mirë, ndërsa pjesa më e madhe e demokratëve beson se PD duhet të merret me vete dhe të hapet më tej. Qëllimi është që PD të bëhet fituese,” tha Salianji, duke shtuar se nuk është e drejtë që për interesat e pesë individëve ndryshimi i partisë të mbahet peng.
I pyetur nëse do të sfidojë Sali Berishën për drejtimin e partisë, Salianji u shpreh se aktualisht nuk ndodhet në një fazë gare personale. “Unë po mbledh shqetësimet e demokratëve. Kjo nuk është një fazë garash apo shprehje ambiciesh personale. Fokusi është rikthimi i PD-së si një forcë fituese. Duhet të gjejmë rrugën më të mirë, idetë më të mira dhe ta bëjmë partinë fituese,” shtoi ai.
Salianji theksoi se vendimet për hapa të mëtejshëm do të merren në bazë të diskutimeve dhe nevojave të demokratëve, duke nënvizuar se lëvizja që ka nisur ka prioritetin e ripërtëritjes së partisë dhe jo konkurrencën për poste.













