Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është ndërprerë pasi kompania e vetme e mbetur në garë është tërhequr nga procesi.
Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk paraqiti ofertë financiare brenda afatit të përcaktuar më 9 mars, duke bërë që procedura të mos vijojë më tej.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i konsideruar kyç për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonominë e vendit.
Lidhur me këtë tërheqje ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Karakaçi bëri me dije se tërheqja e ofertuesit të fundit lidhet me arsye ekonomike, kryesisht me rritjen e kostove të projektit si pasojë e krizës dhe shtrenjtimit të përgjithshëm të tregut.
Ai theksoi se komisioni do të vijojë procedurat përkatëse dhe do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm për projektin.
Karakaçi nënvizoi gjithashtu se pavarësisht vështirësive apo faktorëve të ndryshëm që mund të përpiqen ta pengojnë, projekti për ndërtimin e portit të ri në “Porto Romano” do të vijojë, pasi konsiderohet një investim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm që kishte ngelur në këtë garë me një arsye ekonomike, duke qenë për shkak të rritjes së kostove. Për efektin e krizës ka një rritje të kostos dhe kontraktori, ofertuesi ka bërë një tërheqje duke u justifikuar me qëllime ekonomike. Të cilën komisioni do vijojë me vijimin e procedurës. Para dy ditësh kryeministri u shpreh për këtë projekt dhe e tha qartë që ka aktorë të llojeve të ndryshme të cilët përpiqen ta sabotojnë këtë projekt të rëndësishëm për qëllime të ndryshme, duke përfshirë dhe qëllime ekonomike. Do ndërtojmë një skenar tjetër dhe çdo aktor tjetër apo faktor nuk do mundet ta frenojë këtë projekt, pasi është një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik”, tha ministri.
Tenderi për këtë projekt është 393 milionë euro pa TVSH ka dështuar disa herë, dhe në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume dhe vetëm njëra prej tyre ka kaluar në fazën finale për të paraqitur një ofertë teknike dhe ekonomike.
Afati për këtë garë u mbyll këtë 9 mars në orën 14.00.
Bashkimi i operatorëve “Archirodon Construction (overseas) Company Limited – Deme Dredging nv – Società Italiana Dragaggi s.p.a”, nuk e ka paraqitur ofertën e plotë dhe gara digjet plotësisht.













