Rreth 5 mijë persona kanë protestuar në Milano kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, ceremonia hapëse e të cilave u mbajt të enjten. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas raportimeve, protestuesit kanë qëlluar me fishekzjarre furgonët e policisë, ndërsa kjo e fundit është kundërpërgjigjur duke përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës. Mediat italiane raportojnë gjithashtu për një sulm me armë ndaj policisë, megjithëse detajet mbeten të paqarta.
Një grup protestuesish, të veshur me kapuçë dhe helmeta, marshuan drejt unazës lindore të qytetit, duke hedhur bomba tymi dhe fishekzjarre përgjatë rrugës. Situata u tensionua veçanërisht në zonën e Corvettos, ku pas përleshjeve me policinë u ndaluan pesë persona, të cilët u shoqëruan në komisariat.
Protestuesit hodhën shishe, fishekzjarre dhe gaz lotsjellës drejt policisë së trazirave, e cila bllokoi rrugën që çonte drejt unazës lindore. Pas ndërhyrjes me topa uji dhe armë zjarri, protestuesit u tërhoqën përkohësisht, por më pas rifilluan marshimin drejt Corso Lodi.
Marshimi u hap me pankarta që dënonin prerjen e pemëve në disa nga zonat ku do të zhvillohen garat olimpike, shkruan La Repubblica. Në Via Monpiani, disa protestues mbanin një banderolë me mbishkrimin “Njih armikun tënd”.
Protesta vijoi duke kaluar në Piazza Gabrio Rosa dhe më pas në Viale Martini.
Sërish fishkëllima për Vance
J.D. Vance u fishkëllye përsëri gjatë ndeshjes së hokejit për femra midis SHBA-së dhe Finlandës në Hockey Arena në Milano Rho, të cilën ai po e ndiqte me familjen e tij. Ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, i shoqëruar nga sigurimi, doli nga tribunat për t’u larguar nga arena, një “buuu, buuu” e fortë dhe qartësisht e dëgjueshme shpërtheu nga një pjesë e audiencës. Protesta ishte shkurtër dhe erdhi vetëm nga një pjesë e arenës, ku ishin ulur kryesisht tifozë amerikanë. Loja pothuajse kishte mbaruar; ekipi amerikan mundi Finlandën 5-0.
Trump: Jam i habitur nga fishkëllimat për Vance”
Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishte “i habitur” nga fishkëllimat publikut ndaj zëvendëspresidentit të tij, JD Vance, gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Milano-Cortina. “Është e habitshme sepse njerëzit e pëlqejnë atë. Ai është në një vend të huaj, për të qenë i sinqertë, por në këtë vend (Vance) nuk fishkëllehet”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One.














