Tiranë, 25 janar 2026 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale pas protestës kombëtare të opozitës të mbajtur një ditë më parë para Kryeministrisë, duke e cilësuar pjesëmarrjen qytetare si një mesazh të fortë kundër qeverisë.
Berisha ndau pamje nga protesta, ndërsa e përshkroi turmën e protestuesve si “një uragan”, që sipas tij ka tronditur kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën qeverisëse.
Në reagimin e tij, kryedemokrati përdori tone të ashpra politike, duke theksuar se protesta ishte shprehje e revoltës qytetare ndaj qeverisjes aktuale.
Ai gjithashtu falënderoi pjesëmarrësit në protestë, të cilët i cilësoi si “kryengritës të lirisë”, duke vlerësuar angazhimin e tyre në aksionin opozitar.
Protesta kombëtare e Partisë Demokratike u zhvillua në një klimë të tensionuar politike dhe u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e saj.













